Organizohet “Panairi i bizneseve në Komunën e Sarajit”.

Fondacioni për zhvillimin e arsimit dhe kulturës Albiz sot organizoi “Panairin e bizneseve të Komunës së Sarajit”, i cili u mbajt në hapësirat e restorantit Korabi në Saraj.

Në këtë panair produktet dhe shërbimet i prezantuan 25 kompani të cilat veprojnë dhe janë nga komuna e Sarajit. Kompanitë ishin nga me të ndryshmet, i promovuan produktet ushqimore, higjienike, materialet ndërtimore etj. Disa nga kompanitë janë përfaqësues të brendeve të mëdha botërore.

Në hapjen solemne të pranishmëve iu drejtua  z. Besir Dernjani, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Albiz, i cili tha ky është vit i katërt me radhë që Fondacioni Albiz e organizon këtë Panair dhe çdo vit bëhet më masovik. Gjatë Panairit kompanitë jo vetëm që i promovojnë produktet dhe shërbimet e tyre, por edhe kanë mundësi për të shkëmbyer përvojat e tyre, e pse jo edhe të flasin për sfidat dhe problemet të cilat i kanë të përbashkëta.

Në këtë ngjarje përveç përfaqësuesve të bizneseve morën pjesë Ministri i Ekonomisë z.Kreshnik Bekteshi, kryetari i Komunës së Sarajit z.Blerim Bexheti, kryetari i kuvendit të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri Perëndimore z. Mendres Kuçi.

Gjatë panairit u promovua edhe Katalogu i bizneseve të Komunës së Sarajit. Në katalog janë përfshirë të dhënat për rreth 400 kompani, ku mund të gjenden informata për veprimtarinë, numrin e të punësuarve, qarkullimin vjetor, neto fitimin, kontaktet etj.

Fondacioni për zhvillimin e arsimit dhe kulturës Albiz ndau mirënjohje për kompaninë “Uka Komerc” për stendën më të mirë në kuadër të “Panairin e bizneseve të Komunës së Sarajit”.