Bizneset dhe pushteti lokal për një ambient të pastërt

Fondacioni për zhvillimin e arsimit dhe kulturës më 24 tetor 2019, në restorantin Fontana, organizoi tubim publik me afaristët nga Saraji, me temë “Menaxhimi me mbeturinat dhe kujdesi ndaj ambienti jetësor”, që është në kuadër të projekti “Zhvillimi i turizmit në Saraj dhe Matkë”, i financuar nga Bashkimi Evropian.

Në këtë tubim si pjesë e panelit ishin kryetari i Komunës së Sarajit, z. Blerim Bexheti dhe z. Zenun Matjani, shef i kabinetit të Higjienës komunale Shkup.

Në fillim të tubimit, Besir Dernjani, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Albiz, i informoi të pranishmit për projektin në fjalë. Ku ata kuptuan më shumë rreth aktiviteteve të cilat realizohen në kuadër të projektit. Ai tha se projekti në fjalë do të kontribuojë mjaft për zhvillimin e turizmit në Komunën e Sarajit. Mes rezultateve të projektit do të veçonim shtigjet e rregulluara për ecje në gjatësi prej 40 km, përgatitjen e aplikacionit për celular, hartë turistike për Sarajin dhe Matkën, si dhe publikimin Ciceron turistik për Sarajin dhe Matkën.

Ai gjithashtu potencoi se janë zhvilluar disa takime me popullatën lokale lidhur me ndërgjegjësimin ndaj ambientin jetësor, ambiente të pastra ku mund të qëndrojnë turistët dhe me çka do të kontribuohet ndaj rritjes së numrit të tyre.

Kryetari i Komunës së Sarajit, z. Blerim Bexheti theksoi se Komuna e Sarajit ka mjaft subjekte private. Dhe mund të sigurohen mjete për intervenime në drejtim të higjienës në komunë. Komuna ka mjaft pasuri natyrore, si dhe ka ajër të pastër. Neve na mbetet bashkarisht të vazhdojmë në këtë drejtim. Përveç inspektorateve ne dalim edhe në mirëmbajtjen e kanalizimeve. Vitin tjetër parashihet rregullimi i koritës dhe stacioneve filtruese. Kjo bëhet me mjete vetanake. Projekti i Bukoviqit që kap vlerën prej 30 milionë denarë, pastaj Llaskarc, Semenishtë dhe Arnaqi. Pa kanalizime të rregulluara nuk mund të kemi ambient të pastër. Higjiena komunale operon edhe në Komunën e Sarajit, ne si komunë e bëjmë këtë aktivitet në disa fshatra.

Në Komunën e Sarajit mes Radushës dhe Rashçes do të vendoset matës i ndotjes së ajrit. Në çerdhen e Sarajit do të vendoset filtrues të ajrit, e po ashtu edhe në një shkollë fillore. Gjithashtu bashkë me Fondacionin Albiz po përgatitet një hartë turistike që do të ndihmojë në rritjen e numrit të turistëve në Saraj.

Në fund foli edhe shefi i kabinetit ë Higjienës komunale, z. Matjani i cili tha se ndërmarrja bën mjaft aktivitete në terren, të cilat kanë të bëjnë me pastrimin e mjediseve për ruajtjen e ambientit të pastër jetësor. Por neve na nevojitet bashkëpunim me qytetarët.