INAUGUROHEN HAPËSIRAT PËR NOVATORËT E RI

Fondacioni për zhvillimin e arsimit dhe kulturës Albiz në partneritet me Universitetin Nënë Tereza, më 27 shkurt 2020, në kuadër të universitetit, i inauguruan hapësirat për novatorët e ri – Social Innovation HUB.

Në ceremoninë e rastit, përveç nikoqirëve, drejtorit ekzekutiv të Fondacionit Albiz, z. Besir Dernjani dhe rektorit të Universitetit Nënë Tereza, Prof. dr. Aziz Pollozhani, morën pjesë edhe znj. Virve Vimpari, shefe e operacioneve pranë Delegacionit të BE në Shkup, z. Jovan Despotovski, drejtor i Fondit për inovacione dhe zhvillim teknologjik, z. Arsim Nimanaj, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Create (partneri kryesor në projekt nga Republika e Kosovës), donatorët të Fondacionit Albiz, profesorë, studentë dhe mysafirë të tjerë.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, rektori i UNT-së, Prof. dr. Aziz Pollozhani përgëzoi dhe falënderoi faktorët relevantë të cilët kanë kontribuar në hapjen e kësaj Qendre, si një iniciativë thelbësore që do të shërbejë si urë lidhëse mes dijes, shkencës dhe inovacionit. Njëherit, z. Pollozhani theksoi se kjo Qendër do të frymëzojë, edukojë dhe motivojë sipërmarrësit e rinj duke i ofruar trajnime të bazuara në nevojë, me qëllim që të krijojnë produkte dhe shërbime që kanë ndikim në nivel lokal, rajonal dhe ndërkombëtar.

“Projekti synon ta zvogëlojë papunësinë e të rinjve duke transferuar ekspertizën në sipërmarrësi, inovacionet sociale dhe rrjetëzimin tek të rinjtë nga rajoni, për të nxitur një zhvillim gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm ekonomik në mesin e të rinjve. Inovacionet konsiderohen dinamika themelore për zhvillimin e ekonomisë së sotme. Tanimë inovacionet mund të konsiderohen si një prej faktorëve bazë të prodhimit, kundrejt faktorëve të tjerë si fuqia punëtore, toka dhe kapitali”, tha në fjalën e tij z. Besir Dernjani, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Albiz.

Znj. Virve Vimpari, përfaqësuese e Delegacionit të BE në Shkup, theksoi se një numër i madh i të rinjve largohen nga vendi, por ata kanë mundësi për prosperitet edhe në vend. Ata duhet t’i shfrytëzojnë mundësitë të cilat ju ofrohen. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë iniciativa të ngjashme edhe në të ardhmen.

“Biznesi mund të bëhet edhe prej këtu, në vend. Nuk është e nevojshme që të rinjtë të shpërngulen nga vendi. Fondi për inovacione dhe zhvillim teknologjik përmes instrumenteve financiare ofron fonde për inovacion për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme”, tha mes tjerash z. Jovan Despotovski nga Fondi për inovacione dhe zhvillim teknologjik.

Hapja e hapësirave të HUB-it  është pjesë e projektit regjional “The European Union, Innovation & Media Partnership for Action, Collaboration and Transformation in the Western Balkans” – (EU-IMPACT-WB), i cili  realizohet nga pesë partnerë nga vendet ballkanike (Maqedoni, Kosovë, Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Serbi), në periudhën prej prill 2018 – prill 2021. Objektivi i përgjithshëm i projektit është që shoqëria civile, sipërmarrësit e rinj dhe novatorët social të bashkëpunojnë për t’i përdorur mjetet e reja të medias në mënyrë më efektive, që të krijojnë vende të reja punës dhe për t’i promovuar çështjet reformuese socio-ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

Projekti është financiarisht i mbështetur nga Komisioni Evropian.