Storje Suksesi me Emin Azemin | Gazetaria është një profesion shumë fisnik, por edhe shumë i vetmuar

Gazetaria është një profesion shumë fisnik, por edhe shumë i vetmuar

Më 4 prill 2019, në hapësirat e Universitetit të Evropës Juglindore në Shkup, u organizua edicioni i parë për këtë vit i projektit Storje suksesi, ku mysafir e kishim gazetarin, dhe publicistin e mirënjohur Emin Azemin.  Në karrierën e tij mbi 30 vjeçare në gazetari, mbi 20 vjet ka qenë drejtues dhe menaxhues mediash në Maqedoni dhe jashtë saj.

Përmes ndodhive dhe fragmenteve nga jeta private dhe profesionale gazetari Emin Azemi e shtjelloi rrugëtimin e tij që nga mosha studentore e deri viteve të fundit, ku së fundi për arritjet në fushën e gazetarisë iu nda çmimi shtetëror “Mito Haxhivasilev Jasmin”. Rrëfimi i tij e tërhoqi vëmendjen e të rinjve, studentëve, por edhe pjesëmarrësve të tjerë, që si në shirit filmi, i rrëfeu momentet e bukura, por edhe ato të vështira të jetës së tij.

“Së pari vendosa se do studioja mjekësi. Në tavolinën time kisha nga njëra anë libra të mjekësisë, ndërsa nga ana tjetër libra të letërsisë. Dhe kështu ndodhi që ta lë mjekësinë dhe t’i vazhdoj studimet në Fakultetin Filologjik, për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe”, tha Azemi.

Ai që në vitet studentore filloi të interesohet për gazetarinë, në fillim duke shkruar për teatrin dhe kulturën, në vitin 1982, duke bashkëpunuar me gazetën “Mllad Borec” të Shkupit dhe kishte fatin të jetë ish-pjesë e gjeneratës së gazetarëve si Nikolla Mladenov e Tomislav Osmanli.

Nga viti 1983 është më aktiv në gazetari, fillimisht si gazetar dhe redaktor në gazetën e studentëve ‘’Bota e Re’’ në Prishtinë, deri në vitin 1987 dhe pastaj kalon gazetar në gazetën Rilindja, deri në vitin 1992. Kurse me shkrime letrare merret që nga bankat e shkollës fillore. Prej vitit 1992-1995 punon redaktor në gazetën ‘Flaka’ të Shkupit, kurse në ndërkohë ka qenë edhe korrespodenti ‘Zërit të Amerikës’ nga Shkupi (1993-1994), si dhe bashkëpunëtor i gazetës ‘Ilyria’ të Amerikës në një periudhë 10 vjeçare.

Viti 1998 do të shënojë një kthesë esenciale në karrierën gazetareske të Emin Azemit. Më 10 prill të këtij viti, ai, me financa vetanake, fillon të botojë gazetën e parë të pavarur në gjuhën shqipe FAKTI, një medie që më vonë do të bëhet shkollë e dhjetëra gazetarëve dhe promovuese e mendimit të lirë e të pavarur.

Krahas punës profesionale në gazetari, Emin AZEMI, shquhet edhe me përkushtimin  dhe angazhimin e tij  në përgatitjen e  kuadrove të rij në fushën e komunikimeve dhe të gazetarisë, në kudër të UEJL, por edhe duke përçuar  përvojën e tij të gjatë në gazetën e përditshme KOHA, punë kjo të cilën ai e bën me shumë dashuri e përkushtim. Me gazetën KOHA atë e lidh përpos punës profesionale e ekipore me kolegët e dikurshëm me të cilët kishin punuar bashkë, edhe kujdesi gati prindëror që kjo medie të etablohet edhe më fuqishëm në tregun mediatik të këtushëm, duke vazhduar traditën e një gazete të suksesshme që me vite ka kuota të larta besueshmërie e paanshmërie në hapësirën informative të Maqedonisë.

Përveç gazetarisë dhe publicistikës, merret edhe me letërsi, me kritikë letrare e teatrore.

Projekti “Storje suksesi” ka për qëllim që studentët, bursistë të Fondacionit, të njoftohen nga afër me jetën dhe të arriturat e personaliteteve të ndryshme, të cilët veprojnë në fusha të ndryshme si biznesi, shkenca, kultura, shëndetësia, sporti e tjera. Përvoja e tyre profesionale dhe jetësore të jetë shtytës dhe motiv për të rinjtë që të ndjekin rrugën e tyre dhe nesër të jenë shembull për gjeneratat që vijnë.