Të folurit në publik, sfidë për të rinjtë

Fondacioni për zhvillimin e arsimit dhe kulturës Albiz më 13-14 prill, në Shkup, organizoi trajnim me temën “Komunikimi dhe të folurit në publik”. Në këtë trajnim morën pjesë 20 të rinj, të cilët shprehën dëshirë të fitojnë njohuri të reja nga kjo fushë.

“Përmes këtij trajnimi kam arritur të fitoj mjaft. Gjatë prezantimeve të mia në të ardhmen, do të mund t’i aplikoj teknikat e reja të mësuara. Mendoj se të rinjtë kanë nevojë për trajnime të këtilla”, tha Semra Sadiki.

Arta Qerimi, studente, tha se pritshmërisë e saja janë plotësuar. “Personalisht i përforcova njohuritë e deritanishme rreth komunikimit dhe të folurit në publik. Të gjithë pjesëmarrësit ishin mjaft aktiv gjatë trajnimit”, na tha Arta pas përfundimit të trajnimit.

Pjesëmarrësit gjatë trajnimit u njoftuan me atë se çfarë është komunikimi verbal/joverbal, cila është frika nga gabimet dhe glosofobia, si duhet të paraqitemi në publik gjatë fjalimeve dhe paraqitjes në media, etj.

Trajnimin e realizoi Leonard Kaja, trajnues profesionist në këtë lëmi. Trajnimi “Komunikimi dhe të folurit në publik” është pjesë e Platformës edukative-arsimore.