Me 21 Mars 2017 Fondacioni Albiz në hapësirat e Daut Pasha Hamam – Çarshi e Vjetër,Shkup, organizoi Mbrëmjen Poetike në kuadër të platformës kulturore me qëllim që të mbështes gjininë letrare të poezisë e cila paraqet krijim të veçantë arti që shumë mjeshtër të fjalës e vendosin në fronin mbretëror të letërsisë, por edhe për të përkrahur poetët e rinj drejt krijimtarisë së tyre poetike.  Ky eveniment tashmë është shëndruar në tradicional nga ana e Fondacionit Albiz me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Poezisë, 21 Marsi.

Për realizimin e Mbrëmjes Poetike Fondacioni Albiz hapi konkursin letrarë nga 01.03.2017 deri më 14.03.2017 i cili vlente për të gjithë poetët e grupmoshave të reja prej 15 deri më 25 vjet nga të gjitha trevat shqipfolëse, me ç’rast kishte një numër të konsiderueshëm aplikimesh.

Në këtë mbrëmje të pranishmit kishin kënaqësinë të dëgjojnë dhjetë poezi të cilat me vargjet e tyre të bukura si dhe tingujt e pianos mundësuan që të krijohet një atmosferë e këndshme në sall.

Komisioni i cili bëri vlerësimin e poezive përbëhej nga: prof.dr.Zejnepe Alili Rexhepi, nga autori i mirënjohur z. Fejzi Bojku dhe shkrimtari z.Rahim Ganiu. Me vendimin e tyre tre çmimet kryesore të jurisë u takuan: çmimi i tretë i takoi poetes nga Dibra Bjondina Mashkulli me poezinë e saj të titulluar “Zemër e një nëne”, çmimi i dytë i takoi poetes nga Tetova Ibadete Gafuri me poezinë “Më ngjitë ëndrrat ” dhe çmimi i pare i takoi poetes njashtu nga Tetova Fatjona Abdulahu me poezinë  “Arrati shpirti”. Çmimet nga ana e Komisionit i ndau z.Fejzi Bojku i cili njëkohësisht mbajti një fjalim të shkurtër mbi mbarëvajtjen e vlerësimit nga ana e komisionit.  Ndërsa çmimin e publikut e fitoi poezia “Përtej pasqyrës së dëshirave” e poetes nga Gostivari Berna Emruli të cilin e ndau z.Mexhait Shaini, anëtar i Këshillit Drejtues.

Në këtë mbrëmje dhjetë prezantuesit por edhe të gjithë aplikuesit e tjerë morën mirënjohje për poezitë e tyre të cilat i ndau Kryetari i Këshillit Drejtues z. Besim Dauti.

Me qenë se poezia paraqet një mënyrë të veçantë dhe të fuqishme për të përcjell  porosi të vyeshme që prekin vendim më të ndjeshëm në sedrën e lexuesit apo dëgjuesin, Fondacioni Albiz do të vazhdoj të realizoj aktivitete të këtilla për të përkrah këtë gjini letrare.

Kategoritë Lajme