Promovohet gjenerata e XIV-të e bursistëve!
Më 19 shkurt 2025, në një mbrëmje solemne me miq të Fondacionit Albiz në Teatrin Popullor Maqedonas, Fondacioni Albiz i nderoi studentët, fitues të bursës për vitin akademik 2024/2025.
Gjatë mbrëmjes u ndanë edhe çmimet për 15 studentë të diplomuar me notë mesatare mbi 9 për suksesin e tyre akademik gjatë vitit 2024, në shkencat natyrore dhe teknike.
Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Besir Dernjani, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Albiz, theksoi se “Mbështetja e të rinjve përmes bursave dhe mundësive profesionale është një nga mënyrat më të rëndësishme për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme dhe të suksesshme për vendin tonë. Fondacioni Albiz vazhdon të jetë një urë lidhëse mes arsimit dhe tregut të punës, duke krijuar mundësi të reja për studentët dhe duke e fuqizuar të ardhmen e tyre.”
“Të dashur studentë, ju jeni shpresa dhe energjia që udhëheq rrugën drejt një të ardhme më të ndritur. Mos ndaloni së ëndërruari, punoni fort, dhe me besim ecni drejt suksesit që ju pret. Unë vazhdoj të mbetem i përkushtuar ndaj mbështetjes së arsimit dhe të rinisë, sepse e ardhmja e shkëlqyer e këtij vendi qëndron në duar tuaja!”, theksoi në fjalën e tij përshëndetëse z. Izet Mexhiti, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së RMV.
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, z. Mendi Qyra, theksoi se investimi në arsimin dhe kuadrot e rinj është çelësi i zhvillimit ekonomik dhe social të shoqërisë, duke mbështetur iniciativat që promovojnë arsimin dhe zhvillimin e të rinjve.
Po ashtu, të pranishmit i përshëndetën me fjalë të tyre edhe znj. Rejhan Sulejman në emër të Këshillit të donatorëve të Fondacionit Albiz, z. Taip Jakupi dhe z. Xhemail Dauti, përfaqësues të Këshillit të donatorëve. Ata e theksuan angazhimin dhe mbështetjen e tyre për zhvillimin e mundësive për studentët dhe të rinjtë.
Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë mbështetësit dhe donatorët, pa të cilët ky program nuk do të ishte i mundur!

Kategoritë Eventet Lajme