Me përfundimin e xhiros së fundit, përfundoi edhe Liga shkollore në futboll të vogël, e organizuar nga Fondacioni Albiz. Liga shkollore u zhvillua në një frymë garuese, me shumë entuziazëm, fair-play dhe bashkëpunim mes nxënësve të shkollave pjesëmarrëse. Gjatë gjithë ligës, nxënësit patën mundësi të tregojnë talentin, përkushtimin dhe shpirtin ekipor, duke krijuar njëkohësisht miqësi të reja dhe përjetime të bukura sportive.
Vendin e parë e zuri SHF “Bajram Shabani” nga fshati Kondovë, vendin e dytë SHF “Dituria” nga Saraji dhe vendin e tretë SHF “Sami Frashëri” nga fshati Gllumovë.
Golashënuesi më i mirë i këtij edicioni është Enes Ferati nga SHF “Bajram Shabani”, ndërsa portieri më i mirë u shpall Albion Bakiu nga e njëjta shkollë.
Kupat për fituesit i ndau kryetari i Këshillit të Komunës së Sarajit z. Amir Idrizi, kryetari i Këshillit të Donatorëve të Fondacionit Albiz z. Mexhait Shaini dhe Fari Rexhepi nga Komuna e Sarajit.
Ky aktivitet dëshmoi edhe një herë rëndësinë që ka sporti në zhvillimin e të rinjve, në forcimin e lidhjeve ndërshkollore dhe në promovimin e vlerave pozitive tek nxënësit. Urime të gjitha ekipeve për angazhimin dhe sukseset e treguara gjatë këtij edicioni.