Më 15 mars 2017, në hapësirat e Çifte Hamam në Çarshinë e vjetër të Shkupit, u mbajt promovimi i dy titujve të anëtarëve të Komisionit për vlerësimin e botimeve pranë  Fondacionit Albiz.

Para një audience dashamire të librit u bë promovimi i veprave:“Sociologji Publike” –  prof. Ali Pajaziti– njëherë edhe botimi më i mirë akademik  i vitit 2017 i shpallur nga Komisioni i Vlerësimin të Kontributeve Akademike të Institutit Shqiptar të Sociologjisë& Shoqatës Sociologjike Shqiptare  dhe “Mbishkrimet e firmave private dhe institucioneve publike në qytetin e Shkupit” – prof. Mustafa Ibrahimi dhe prof.Blerton Sulejmani.

Promovimin e librit “Sociologji publike” e bënë recensentët prof.Hasan Jashari dhe prof. Jonuz Abdullahu. Artikujt e botuar në këtë libër përfshijnë një gamë të gjerë problematikash që nga rinia studentore, universiteti, ksenofobia, kriza e refugjatëve në Evropë, kultura e protestës etj. Tematikat e problematizuara janë ngushtë të lidhura me Maqedoninë.

Ndërsa rreth publikimit “Mbishkrimet e firmave private dhe institucioneve publike në qytetin e Shkupit” folën recensentët prof.Ismet Osmani dhe prof. Izmit Durmishi.       Këtu autorët bëjnë analizë të gabimeve te mbishkrimet e institucioneve publike në qytetin e Shkupit, si dhe te përdorimi i gjuhës shqipe në mbishkrimet e firmave private.

Publikut iu drejtuan edhe autorët e këtyre veprave, të cilët mes tjerash e falënderuan Fondacionin Albiz që e mundësoi promovimin e këtyre publikimeve.

Kategoritë Lajme