Më 20 maj 2017, në Galerinë kombëtare Çifte Amam, në Shkup, u organizua edicioni i radhës i Storje suksesi, ku mysafir këtë herë e kishim shkrimtarin dhe akademikun e mirënjohur Luan Starova.

Përmes ndodhive dhe fragmenteve nga jeta private dhe profesionale akademiku Luan Starova e shtjelloi rrugëtimin e tij që nga mosha studentore e deri viteve të fundit, ku së fundi për punën e tij voluminoze u dekorua me Medaljen e Legjionit të Nderit, që ia dorëzoi shteti francez. Rrëfimi i tij e tërhoqi vëmendjen e të rinjve, studentëve, por edhe pjesëmarrësve të tjerë, që si në shirit filmi, i rrëfeu momentet e bukura, por edhe ato të vështira të jetës së tij.

“Familja ishte diçka e shenjtë te ne. Të gjithë e ndihmonim njëri tjetrin. Babai gjendej në kulmin e piramidës, ai ishte gjithçka për ne. E kishim mbështetjen e tij”, tha mes tjerash akademiku Starova. Ai tha se pas largimit nga Pogradeci, ku edhe lindi, një kohë familja ka jetuar ne Strugë e pastaj janë vendosur në Shkup. Aty i kreu studimet e gjuhës dhe i letërsisë frënge, e pastaj punoi një kohë si gazetar. Më vonë u pranua asistent në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë frënge në Fakultetin Filologjik të Shkupit, në të cilën ka qenë profesor i rregullt i letërsisë frënge. Është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë dhe të Akademisë Mesdhetare në Napoli.

“Në vitin 1923 babai punonte në Stamboll, ku ishte dëshmitar i themelimit të shtetit modern turk të Ataturkut. Kur ishte kthyer nga Stambolli të gjithë prisnin se do sillte flori, por ai kishte sjellë një valixhe plot me libra. Në Pogradec kishin qeshur me të. Unë më vonë i hapa librat që i kishte sjellë babai dhe mes faqeve gjeja gjurmë nga hiri i cigares. Ishte duhanxhi i pasionuar, pinte nga tre kuti në ditë. Dhe nga kjo kuptova se në ato faqe ai ishte përqendruar më tepër. Dhe kështu kjo më shtyu të nisi të shkruaj, si dhe ta botoj veprën e parë “Librat e babait”, rrëfente mes tjerash shkrimtari Luan Starova.

Deri më tani ai a botuar shtatë romane, dy vëllime me tregime, një me poezi, disa vëllime me ese dhe studime, ka përkthyer poetë të njohur francezë në shqip dhe maqedonisht. Shkruan paralelisht shqip dhe maqedonisht. Pas botimit të katër romaneve të para në frëngjisht: tre nga “Fayard” në Paris ( “Librat e Babait”, “Koha e dhive” dhe “Muzeu i ateizmit” ) dhe një prej “Les Editions de l’Aube” ( “Bregu i egzilit” ) dhe pas jehonës që i bëri kritika, disa nga romanet e tij u përkthyen në 14 gjuhë të ndryshme. Renditet ndër shkrimtarët shqiptarë më të përkthyer në botë.

Gjatë karrierës së tij të deritanishme ka qenë edhe ambasador i RSFJ në Tunizi dhe si ambasador i Maqedonisë në Francë. Ka pasur kontakte të shumta me diplomatë të shumtë. Gjatë ushtrimit të detyrës në Tunizi në atë kohë ka pasur takime të shpeshta edhe me liderin palestinez Jaser Arafat.

“Sa jeni të ri nuk duhet të mendoni se si do të arrini suksese, por dashuria për profesionin dhe puna të shpie drejt suksesit”, tha mes tjerash akademiku Luan Starova.

Projekti “Storje suksesi” ka për qëllim që nxënësit dhe studentët, bursistë të Fondacionit, të njoftohen nga afër me jetën dhe të arriturat e personaliteteve të ndryshme, të cilët veprojnë në fusha të ndryshme si biznesi, shkenca, kultura, shëndetësia, sporti e tjera. Përvoja e tyre profesionale dhe jetësore të jetë shtytës dhe motiv për të rinjtë që të ndjekin rrugën e tyre dhe nesër të jenë shembull për gjeneratat që vijnë.

Kategoritë Lajme