Fondacioni për zhvillimin e arsimit dhe kulturës Albiz më 21 mars 2018, në hapësirat e Hamamit të Daut Pashës – Çarshia e Vjetër e Shkupit, e organizoi për herë të katër Mbrëmjen poetike. Ky eveniment organizohet me rastin e Ditës ndërkombëtare të poezisë.

Fondacioni Albiz për realizimin e Mbrëmjes poetike hapi konkurs letrar, i cili ishte i hapur prej 05.03.2018 deri më 15.03.2018. Konkursi ishte i hapur për krijuesit e moshës prej 15 deri 25 vjet, duke mundësuar që t’i dërgojnë poezitë e tyre të rinjtë nga të gjitha trevat shqiptare. Në mbrëmjen finale u recituan tetë poezitë më të mira të përzgjedhura nga ana e jurisë profesionale, e cila ishte në përbërje Adem Abdullahu, poet, botues, përkthyes letrar, Daut Dauti, poet, publicist, gazetar dhe Lira Bojku, poete.

Nga ana e jurisë, të pranishmëve iu drejtua z. Adem Abdullahu, i cili mes tjerash tha se “në këtë konkurs që është tradicional, kishte mbi pesëdhjetë dorëshkrime poetike, kryesisht nga autor të moshës deri 25 vjeçare. Shumica nga këto krijime kishin nivel të mirë artistik apo të kënaqshëm, por detyrimisht duhej të dilte më i miri nga të mirët dhe kjo nuk është punë e lehtë për t’u bërë, ndaj ne kemi pasur natyrisht edhe dilema dhe hamendje që mos vallë ndonjërit ti futemi në hak. Më në fund pas leximit e rileximit të krijimeve u përcaktuam kështu, d.m.th. zgjodhëm 15 finalistë, nga ku do të ndahen tre vende dhe një vend nga publiku”. Çmimi i tretë i jurisë iu nda Ibadete Gafuri për poezinë “Të mos flemë i dashur”, çmimi i dytë iu nda Melek Sulejmanit për poezinë Letër dashurie e ’90-es dhe çmimi i parë, krijueses së re Gresa Livareka për poezinë Përparësja me dy faqe. Po ashtu publiku gjatë kësaj Mbrëmje poetike kishte mundësinë ta vlerësojë një autor për interpretimin më të mirë, çmim i cili iu nda Esat Iljazit për poezinë “Larg tokës sime”.

Mbrëmja poetike është pjesë e Platformës kulturore të Fondacionit Albiz, e cila ka për qëllim mbështetjen e krijuesve të ri, të cilët shkruajnë në këtë gjini letrare.

Kategoritë Lajme