Më 31 mars 2018, në hapësirat e Universitetit të Evropës Juglindore në Shkup, u organizua edicioni i parë për këtë vit i projektit Storje suksesi, ku mysafir e kishim mjekun, politikanin dhe afaristin e mirënjohur Imer Selmani.

Përmes një rrëfimi të ndërthurur nga jeta e tij private dhe profesionale, peripecitë dhe ngjarjet e kohës, Imer Selmani e nisi tregimin e tij nga mosha adoleshente, kur akoma ishte nxënës i shkollës së mesme dhe pastaj ditët studentore. Ngjarjet politike të asaj kohe, sistemi komunist dhe marrëdhëniet mes moshatarëve të etnikumeve të ndryshme.

“Si nxënës në vitin e dytë në gjimnazin “Zef Lush Marku” kisha dëshirë që të bëhem mjek, por në atë kohë nuk kisha shumë alternativa, si sot, për të studiuar. Të studiosh në Fakultet të Mjekësisë në atë kohë mund të shkoje në Shkup, Prishtinë ose në Zagreb. Për shkak të gjuhës dhe terminologjisë adekuate, më duhej të kaloja në gjimnazin në gjuhën maqedonase “Nikolla Karev”. Në fillim e kisha të vështirë, por me përkushtim të madh dhe shumë punë, unë dëshmova se mund të arrij suksese. Kisha pengesa nga profesorë të caktuar, por në vitin e katërt, ata u dorëzuan, pasi që dijen e kisha në nivel”, tha në fillim të ligjëratës së tij Selmani.

Ai pastaj u përqendrua edhe në ditët studentore, punën e palodhshme, mësimin deri në orët e vona të natës, kushtet e asaj koje. “Nga Saraji duhej ta merrje autobusin me numrin 60 deri në qytet, e pastaj edhe nja 15 minuta në këmbë për të arritur në fakultet. Ta kuptoja terminologjinë mjekësore në maqedonishte e kisha vështirë në fillim, por duke mësuar me orë të tëra, këtë e kisha të lehtë pastaj”, tha mes tjerash Imer Selmani. Ai u tha studentëve se rrugëtimin që do ta marrin, se si do ta trasojnë, varet nga ata vetë. Për të gjitha vendimet nevojitet guxim dhe rrezik i matur.

Imer Selmani në moshë mjaft të re, si 32 vjeçar, u zgjodh kryetar i Komunës së Sarajit, ku qëndroi dy mandate. Por, siç tha edhe ai vetë, “nuk mund të plotësohen të gjitha nevojat e qytetarëve në një kohë të caktuar”. Pastaj ishte edhe deputet në Parlamentin e R. Maqedonisë, ministër i Shëndetësisë dhe zëvendëskryeministër për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Në kohën kur ishte ministër i Shëndetësisë u mundësua që ilaçet në të gjitha barnatoret të kenë çmim të njëjtë. Po ashtu, u soll vendimi për kremtimin e tre festave, në interes të shqiptarëve dhe popullatës islame, në nivel shtetëror, siç është Ramazan Bajrami, Kurban Bajrami dhe Dita e alfabetit.

“Me vëllain në vitet  pas ’90 ja nisëm me tregti të lubrikantëve dhe vajrave për automjete. Ia thamë idenë babait, i cili na dha një shumë të caktuar, por për atë kohë kishin vlerë të madhe, dhe ja nisëm me punë. Por, edhe këtu pa përkushtim të madh, nuk do të arrinim, këtu ku jemi”, tha në fund të rrëfimit të tij Imer Selmani.

Projekti “Storje suksesi” ka për qëllim që nxënësit dhe studentët, bursistë të Fondacionit, të njoftohen nga afër me jetën dhe të arriturat e personaliteteve të ndryshme, të cilët veprojnë në fusha të ndryshme si biznesi, shkenca, kultura, shëndetësia, sporti e tjera. Përvoja e tyre profesionale dhe jetësore të jetë shtytës dhe motiv për të rinjtë që të ndjekin rrugën e tyre dhe nesër të jenë shembull për gjeneratat që vijnë.

Kategoritë Lajme