Fondacioni për zhvillimin e arsimit dhe kulturës ALBIZ më 20 shtator 2018, në Parkun e Sarajit, në kuadër të projektit “Kultura është Cool”, e organizoi shfaqen me kukulla  “Në botën e fabulave” në realizim të Qendrës Teatrore për Fëmijë, Shkup.

Mbi 200 fëmijë të klasave të ulëta, nga tetë shkolla fillore të Komunës së Sarajit, kishin mundësi ta ndjekin shfaqen “Në botën e fabulave” (fabulat e Ezopit). Përveç që do t’u mundësojë fëmijëve ta gëzojnë të drejtën për kulturë, njëkohësisht do të promovohen edhe vlerat tjera demokratike, sidomos duke pasur parasysh që shfaqja është interaktive dhe nxit dialog e debat mes publikut rreth temave që përpunohen në të. Një numër i madh i fëmijëve kishin mundësi që për herë të parë të shohin një shfaqe me kukulla dhe gëzimi i tyre ishte i madh.

Po ashtu në kuadër të projektit u realizua edhe Panairi i veshjeve dhe ushqimit tradicional të rrethit të Sarajit, që u realizua në bashkëpunim me Shkollën e mesme Saraj. Nxënësit nga kjo shkollë përgatitën ushqime të këtij rrethi, si dhe ishin veshur me kostume tradicionale. Kjo nxiti kërshëri të madhe.

Përmes aktiviteteve të këtij projekti Fondacioni ALBIZ synon ta promovojë kulturën dhe vlerat kulturore dhe promovimin e sipërfaqeve publike në interes të Qytetit të Shkupit. Banorëve të Komunës së Sarajit do t’u ofrohet program i larmishëm kulturor. Për realizimin e aktiviteteve të projektit mbështetje institucionale ofroi edhe Komuna e Sarajit.

Projekti “Kultura është Cool”, zbatohet nga Fondacioni Albiz ndërsa mbështetet nga Qyteti i Shkupit në kuadër të programit “Nga qendra drejt periferisë: Kultura si mjet për zhvillim të shoqërisë”.

 

Kategoritë Lajme