Njëzet të rinj, studentë dhe bursistë të Fondacionit Albiz fituan njohuri të reja dhe shkathtësi praktike nga fusha e ndërmarrësisë sociale. Trajnimi u organizua prej 10-11 mars, në Strugë, nga ana Fondacionit për zhvillimin e arsimit dhe kulturës Albiz.

Programi i trajnimit përfshiu tema të ndryshme prej pjesës teorike dhe praktike të ndërmarrësisë sociale, siç ishin: Zhvillimi historik i ndërmarrësisë; Procesi i ndërmarrësisë; Profili i ndërmarrësve; Llojet e ndërmarrësisë sociale; Plani i biznesit të ndërmarrjes sociale; Idetë për biznese sociale; Financimi i ndërmarrjes sociale etj. Pjesëmarrësit kishin mundësinë që të mësojnë më shumë rreth disa studimeve të rastit, ku pastaj përmes ushtrimeve praktike i shpalosën idetë e tyre për biznese sociale. Studentët përmes pyetjeve të shumta u informuan rreth fazave të ndryshme të themelimit dhe funksionimit të ndërmarrjes sociale.

Trajnues gjatë këtij trajnimi dyditor ishte prof. Veland Ramadani, ekspert i fushës nga UEJL.

“Edhe pse trajnimi për ndërmarrësi sociale ishte i shkurtër nga kohëzgjatja, në fillim më bëri skeptik se a do t’i arrijë ky trajnim t’i përmbushë pritjet e mija, por në fund ia doli. Duke marrë parasysh se unë vij nga një drejtim krejtësisht tjetër nga ekonomia apo ndërmarrësia, jam jurist, ligjëruesi i këtij trajnimi gjithmonë e kishte parasysh këtë fakt dhe shpjegonte në atë mënyrë që të gjithë ta kuptojmë. Gjatë trajnimit kishte mjaft hapësirë për diskutime apo debate, si dhe për punë praktike”, na the në fund të trajnimit Ardit Ramadani.

Fondacioni Albiz trajnimin për ndërmarrësinë sociale e realizoi në kuadër të projektit të mbështetur financiarisht nga ana e Ministrisë së Ekonomisë të RM.

 

Kategoritë Lajme