Fondacioni për zhvillimin e arsimit dhe kulturës ALBIZ më 28 gusht, në SHF “Dituria” në Saraj, në mënyrë solemne e përmbylli kursin e dytë për rrobaqepësi. Fondacioni Albiz në bashkëpunim me Shkollën moderne për prerje dhe qepje ”Spens Moderna” e organizuan këtë kurs për rrobaqepësi prej 2 korrik deri më 28 gusht.
Në kursin për rrobaqepësi shkathtësi të reja fituan 21 pjesëmarrëse të Komunës së Sarajit. Ky kurs u organizua me qëllim që vajzave dhe grave tu ndihmohet në edukimin e tyre joformal për të siguruar kushte për vetëpunësim.
Ligjëratat u organizuan me metodologji për punë, kryesisht 80 orë mësimore (25 orë teori-bazat e prerjes dhe 55 orë praktikë-qepje), 2 herë në javë, nga 3 orë mësimore prej 60 minutave. Ligjëratat u organizuan nga instruktore profesionale nga Studioja “Spens moderna”.
Gjatë solemnitetit të gjitha pjesëmarrësve iu ndanë certifikata për pjesëmarrje në kurs, e cila më pas mund t’ju ndihmojë të kyçen në ndonjë kompani tekstili, të hapin ndonjë dyqan rrobaqepësie ose të punojnë vetë në kushte shtëpiake. Vajzat dhe gratë pjesëmarrëse i prezantuan veshjet e ndryshme, fustanet, fundet, këmishët etj., që i kishin punuar gjatë kursit.
Për ndarjen e certifikatave ishin të pranishëm edhe përfaqësueset e kompanive donatore Dauti Komerc, Eftinija Impeks, Tempo Profili 99, të cilët e mundësuan realizimin e kursit për rrobaqepësi.










