Më 07 Mars 2017 (e martë) në f. Sllupçan (Komuna e Likovës) u bë hapja solemne e godinës së re të Shkollës fillore “Faik Konica”. Ky projekt është donacion i Fondacionit Albiz në bashkëpunim me kompanitë donatore të Fondacionit, i cili projekt bën pjesë në kuadër të Platformës edukativo-arsimore.
Objekti është i shtrirë në sipërfaqe prej 400m2, i cili përfshinë 6 klasa, 1 kabinet, si dhe 1 depo. Investimi i përgjithshëm kap vlerën prej 100.000 euro.
Hapjen e kësaj ceremonie e bëri drejtori ekzekutiv i Fondacionit Albiz z. Ilir Idrizi. Gjatë fjalimit të tij ai theksoi se investimi në arsim është investimi më i domosdoshëm për të ardhmen e një populli. Ai gjithashtu i falënderoi afaristët donatorë të Fondacionit Albiz, si dhe u bëri thirrje edhe afaristëve që ta ndjekin këtë shembull, sepse një ndër mënyrat më të mira për ta shprehur përgjegjësin e tyre korporative shoqërore është pikërisht nëpërmjet investimit në arsim, i cili njëkohësisht paraqet investim në dije dhe në të ardhmen tonë.
Në këtë solemnitet morën pjesë edhe kryetari i Komunës së Likovës z. Sadulla Duraku, donatorë të Fondacionit Albiz, përfaqësues të OEMVP, mësues, arsimtarë dhe banorë të f. Sllupçan. Kryetari i Komunës së Likovës, Sadulla Duraku, tha se është shumë falënderues ndaj afaristëve dhe Fondacionit Albiz për këtë gjest, me shpresë që ky të jetë vetëm një fillim i një bashkëpunimi të ardhshëm, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të arrijmë zhvillimin e një vendi.
Ndërtimi i kësaj shkolle paraqet shembullin më të mirë të bashkëpunimit ndër institucional me të vetmin qëllim ngritjen dhe zhvillim e shoqërisë. Ky është bashkimi i forcës së 3 sektorëve edhe atë: sektorit të biznesit, sektorit civil dhe vetëqeverisjes lokale.
Me këtë rast shkolla iu dha në përdorim Komunës së Likovës për nevojat e saja, si donacion i Fondacionit Albiz.





