Me 18 Mars 2017,  në hapësirat e Universitetit të Evropës Juglindore, në Shkup, Fondacioni Albiz filloi realizimin e projektit  “Storje  Suksesi” për vitin akademik  2016/17,  duke organizuar edicionin e parë  të ciklit të ligjëratave, ku i ftuar  ishte profesori  i  mirënjohur akademiku prof. dr. Abdulmenaf  Bexheti.

Fjalë përshëndetëse pati drejtori ekzekutiv i Fondacionit Albiz, z. Ilir Idrizi, i cili shfrytëzoj rastin t’i përshëndete të pranishmit dhe  gjeneratën e re të bursistëve, si dhe u bëri thirrje që ata të marrin pjesë në projektet dhe aktivitetet e Fondacionit që do të organizohen në periudhën e ardhshme.

Edicionin e sivjetmë të projektit “Storje suksesi” Fondacioni Albiz e nisi me një ekspert, ekonomist dhe intelektual, siç është prof. Abdulmenaf Bexheti, i cili ka një biografi të bujshme dhe publikut ia solli përvojën e tij personale dhe profesionale, që e bëri këtë  eveniment edhe më interesant.

Ai mes tjerash tha se “suksesi paraqet një gërshetim të punës sistematike, përkushtimit dhe disiplinës, ndërsa pjesa tjetër i ngelet fatit”.  Mirëpo sipas profesorit të nderuar ekzistojnë disa parakushte të suksesit siç janë: drejtësia, gjykimi përmes fakteve dhe guximi për ta artikuluar të vërtetën;  përcaktim i qartë i qëllimeve dhe qëndrimi besnik ndaj atyre;  mos frika nga konkurrenca, në mënyrë metaforike ajo ka dalë nga ‘parajsa’; mos fajësimi i të tjerëve për dështimet tuaja – gjithmonë ka nëpër këmbëza;  për gjërat që nuk i dini ndiqni logjikën, intuitën dhe eksperiencën.

Pyetjeve të shumta profesori Bexheti iu përgjigj me modesti dhe këshilla për gjeneratat e reja. Mesazhi i tij kryesor ndaj rinisë ishte se ato kanë qenë, janë dhe do të mbeten prijës të reformave, ndryshimeve, duke theksuar se çdo herë dhe në çdo vend njerëzit i kërkojnë udhëheqësit e tyre të rinjtë janë diku dhe ata duhet të shfaqen.

Fondacioni Albiz do të vazhdoj ta implementojë projektin “Storje Suksesi” në kuadër të Platformës edukativo-arsimore duke sjellë personalitete të cilët e kanë dëshmuar veten në karrierën e tyre dhe që janë model i suksesit për të rinjtë.

 

Kategoritë Lajme