Më 18.05.2013 në hapësirat e komunës së Sarajit u mbajt takimi i dytë i radhës me personalitete të rëndësishme që realizohet në kuadër të projektit Storje suksesi, ku si ligjerues ishte neurohirurgu Lulzim Agai. Prezent në këtë takim ishin bursistët e Fondacionit Dauti, nxënës dhe studentë, themeluesi i fondacionit z.Xhemail Dauti, donatorë si dhe mysafir të tjerë.  Hapjen e këtij takimi e bëri drejtori i Fondacionit Dauti z.Sokol Zeqiri i cili i përshëndeti të  gjithë të pranishmit dhe theksoi se ky projekt parasheh takime mes bursistëve dhe personaliteteve të cilët kanë arritur sukses në profesionin e tyre dhe se padyshimi mbartja e këtyre përvojave jetësore, profesionale dhe rrugëtimi  drejt suksesit do jetë një motivim dhe inspirim shtesë për  gjeneratat e reja.  Ligjeruesi Dr. Lulzim Agai u ndal në tre periudha të jetës së tij: periudhën e rinis apo shkollimit, periudhën e përvojave të para të karrierës profesionale si dhe në periudhën momentale. Gjatë jetës së tij ishte përballuar me shumë sfida, por e rëndësishme është se gjithmonë me forcat e tija ja kishte dalë mbanë. Ajo që na bëri përshtypje ishte edhe se ai gjatë jetës së tij shtatë vite me rradhë kishte punuar si vullnetarë dhe si rrjedhojë e kësaj  mesazhin që e përcolli tek studentët ishte se çelësi i suksesit për të kishte qenë puna, vendosshmëria, dhe përgjegjësia.  Këto elemente kanë qenë “fajtorët” kryesor që ai ka arritur këtu ku është tani. Çdo profesion do të jetë i respektuar vetëm nëse e punoni me përgjegjësi ishin fjalët me të cilin e përmbylli ligjeratën Dr. Lulzim Agai. Pas një pauze të shkurtër, në të cilën Fondacioni Dauti kishte organizuar një koktel modest, pasoi pjesa e tretë e programit ku të pranishëmit kishin mundësin që ti parashtrojnë pyetje ligjeruesit. Në përmbyllje të takimit,  drejtori z.Sokol Zeqiri falenderoi të pranishmit si dhe njëkohësisht i paralajmroi se takimi i ardhshëm me personalitetin dhe ligjeruesin e rradhës do jetë në muajin e ardhshëm.
Kategoritë Lajme