Fjala me të vërtetë është çelësi i çdo marrëdhënieje. Të dish të komunikosh është çështje cilësie dhe për të arritur këtë cilësi është i nevojshëm: shpirti, maturia, thjeshtësia, inteligjenca, gatishmëria dhe zëri.

Fondacioni për zhvillimin e arsimit dhe kulturës Albiz e realizoi me sukses trajnimin dyditor, me 08-09 prill 2017, në hapësirat e Bibliotekës Nacionale “Shën Klimenti i Ohrit”. Ky trajnim është pjesë e Platformës edukativo-arsimore të Fondacionit, me anë të cilit u mundësohet të rinjve, e veçanërisht studentëve të jenë më pranë temave aktuale të cilat hasin zhvillim masiv në botë.

Këtij trajnimi i parapriu konkurs i hapur ku të drejtë aplikimi kishin nxënësit dhe studentët nga mosha 18 deri 25 vjeçare, të cilët shfaqën interesim për të përfituar njohuri shtesë në këtë lëmi. Trajnues ishte Leonard Kaja – profesionist i kësaj fushe dhe me një biografi të bujshme të trajnimeve.

Disa nga temat të cilat u shtjelluan ishin: Komunikimi verbal dhe jo verbal, Frika nga gabimet dhe glosofobia, paraqitja publike në media, komunikimi me shkrim, biznes komunikimi dhe komunikimi korporativ.

Në mënyrë interakive dhe grupore pjesëmarrësit fituan njohuri mbi këto tema, ndërsa përgatitja profesionale e trajnuesit ishte ajo që e bëri trajnimin më të kapshëm për të gjithë.

Në fund të trajnimit pjesëmarrësve iu ndanë certifikata të cilat do t’ua pasurojnë CV-të e tyre.

Kategoritë Lajme