Fondacioni Albiz shënon 15 vjet veprimtari
Sonte në Shkup u shënua 15 vjetori i themelimit të Fondacionit për Zhvillimin e Arsimit dhe Kulturës Albiz dhe promovimi i gjeneratës së XV-të të bursistëve. Nisi pesëmbëdhjetë vjet më parë si një nismë e bazuar në përgjegjësinë shoqërore dhe besimin se investimi në njerëz është investimi më i qëndrueshëm.
Mes miqve të shumtë, donatorëve, përfaqësuesve të institucioneve publike e shtetërore, pushtetit lokal, organizatave të shoqërie civile, ishte i pranishëm dhe zëvendëskryeministri Bekim Sali.
Gjatë këtij rrugëtimi 15-vjeçar, Fondacioni Albiz është shndërruar në një platformë bashkëpunimi ndërmjet sektorit privat, institucioneve dhe komunitetit, duke ndërtuar politika të qarta dhe programe me ndikim afatgjatë në arsim, kulturë, zhvillim social dhe humanitar. Në qendër të misionit të Fondacionit Albiz ka qenë gjithmonë njeriu – veçanërisht i riu. Përmes programit të bursave, Albiz ka mbështetur mbi 500 nxënës dhe mbi 2.200 studentë, duke u dhënë atyre jo vetëm ndihmë financiare, por edhe besim, motivim dhe mundësi reale për të ndërtuar të ardhmen e tyre.
Fondacioni Albiz ka qenë gjithashtu i pranishëm aty ku nevoja ka qenë më e madhe – në mbështetjen e familjeve me gjendje të rënduar sociale, në përballimin e fatkeqësive natyrore, në përkrahjen e institucioneve arsimore e shëndetësore, si dhe në promovimin e kulturës dhe sportit si vlera të rëndësishme shoqërore.
Fondacioni Albiz mbetet i përkushtuar që edhe në vitet që vijnë të jetë një partner i besueshëm i komunitetit dhe një shembull se si bashkëpunimi dhe përgjegjësia shoqërore ndërtojnë shoqëri më të forta.
15 vjet në shërbim të shoqërisë…

Kategoritë Lajme