Fondacioni Albiz ka zhvilluar një takim me sponsorët që mbështetën Mbrëmjen Jubilare me rastin e shënimit të 15-vjetorit të themelimit, e cila u organizua nën moton “15 vite në shërbim të shoqërisë”.
Në këtë takim, drejtori ekzekutiv i Fondacionit Albiz u takua me sponsorët e mbrëmjes: ALPAK ECO, e prezantuar si standard i ri në menaxhimin e paketimit; EKO FLUID, e njohur për rolin e saj në menaxhimin e vajrave dhe ndërtimin e një mjedisi më të sigurt për të gjithë; HALKBANK, institucion financiar që thekson rëndësinë e njerëzve dhe përkrahjen e vazhdueshme të iniciativave shoqërore; si dhe NLB BANKA, e cila me moton “40 vite për çdo hap financiar” dëshmon përkushtimin e saj afatgjatë ndaj zhvillimit financiar dhe mbështetjes së komunitetit.
Takimi u zhvillua në një frymë bashkëpunimi dhe vlerësimi të ndërsjellë, ku u diskutua rëndësia e përkrahjes së sektorit privat në projekte me ndikim shoqëror. Me këtë rast, Fondacioni Albiz ndau mirënjohje për secilin sponsor, si shenjë falënderimi për mbështetjen dhe kontributin e dhënë.
Fondacioni Albiz theksoi se mbështetja e sponsorëve ka qenë thelbësore në shënimin e këtij jubileu dhe në vazhdimin e misionit të tij për të shërbyer komunitetit. Bashkëpunimi me partnerët pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen, me qëllim realizimin e projekteve të reja në dobi të shoqërisë.



