Përurohen hapësirat e reja të SHF “Dituria” në Saraj
Sot, në praninë e mysafirëve të shumtë, donatorëve dhe mbështetësve të arsimit, me një program festiv të përgatitur nga nxënësit, u bë përurimi i hapësirave të reja të SHF “Dituria” në Saraj.
Fondacioni për zhvillimin e arsimit dhe kulturës Albiz, me ndihmën e kompanive private, e realizoi me sukses ndërtimin e hapësirave të reja të kësaj shkolle, duke mundësuar kushte më të mira për zhvillimin arsimor të fëmijëve.
Ky investim i fundit përmban ndërtimin e gjashtë klasave të reja, të cilat do të shërbejnë jo vetëm për mësimin e rregullt (3 klasa), por edhe për mbështetjen e fëmijëve me nevoja të veçanta, duke përfshirë edhe një dhomë sensorike dhe një klasë për qëndrim ditor. Vlera e përgjithshme e projektit është 250.000 euro.
Të pranishmëve ju drejtuan z. Besir Dernjani, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Albiz, z. Ilas Veseli, kryetari i Komunës së Sarajit, z. Mexhait Shaini, një nga donatorët e kësaj iniciative dhe znj. Fatime Feta, drejtoreshë e shkollës.
Ndër vite, Fondacioni Albiz ka kontribuar ndjeshëm në meremetimin dhe modernizimin e institucioneve arsimore, duke krijuar kushte më të mira për arsimimin e brezave të rinj. Kjo iniciativë e rëndësishme është një shembull i bashkëpunimit të suksesshëm mes sektorit privat dhe sektorit civil, duke theksuar përkushtimin për arsim dhe barazi në mundësi.