Fondacioni për Zhvillimin e Arsimit dhe Kulturës Albiz e realizoi me sukses “Akademinë rinore – ALBIZ”, një program treditor i dedikuar për fuqizimin e të rinjve përmes zhvillimit personal, profesional dhe qytetar.

Akademia u mbajt në Strugë, nga 26 deri më 28 qershor 2026 dhe në Akademi morën pjesë të rinj të shkollave të mesme dhe studentë, të cilët gjatë tre ditëve patën mundësi të marrin pjesë në sesione interaktive, punë në grupe, diskutime të hapura dhe aktivitete praktike.

Programi i akademisë u konceptua si një rrugëtim nga njohja e vetes dhe ndërtimi i vetëbesimit, drejt zhvillimit të ideve konkrete që mund të sjellin ndryshim në komunitet.

Gjatë ditës së parë, pjesëmarrësit punuan në tema që lidhen me zhvillimin personal, lidershipin, komunikimin, të folurit në publik, punën ekipore dhe bashkëpunimin. Përmes ushtrimeve praktike dhe aktiviteteve ekipore, të rinjtë patën mundësi të reflektojnë mbi pikat e tyre të forta, rolin e tyre në grup dhe rëndësinë e komunikimit efektiv.

Dita e dytë iu kushtua sipërmarrësisë, kreativitetit, inovacionit dhe shkathtësive digjitale. Pjesëmarrësit diskutuan për mundësitë e të rinjve në ekonominë moderne, identifikimin e ideve të biznesit, përdorimin e mjeteve digjitale, personal branding, inteligjencën artificiale për studentët, si dhe përdorimin e përgjegjshëm të rrjeteve sociale. Në kuadër të punës në grupe, ata zhvilluan ide fillestare për fusha si arsimi, mjedisi, turizmi, teknologjia dhe rinia.

Në ditën e tretë, fokusi u vendos te shkrimi i projekteve dhe kalimi nga ideja në veprim. Të rinjtë punuan në strukturimin e ideve të tyre, përcaktimin e objektivave, aktiviteteve, rezultateve, burimeve dhe ndikimit të mundshëm.

Akdeminë rinore e udhëhoqi trajnuesi Leonard Kaja, ndërsa ligjërues ishin edhe prof. Rejhan Sulejmani (Sipërmarrja si mundësi karriere për të rinjtë), Gramoz Shabani, Fondacioni Albiz (Menaxhimi me ciklin e projektit) dhe Isra Ademi dhe Lia Diaz Marrero nga Fondacioni Albiz (Shkathtësitë digjitale).

Përmes kësaj akademie, Fondacioni Albiz synoi të krijojë një hapësirë motivuese ku të rinjtë mund të mësojnë, të bashkëpunojnë, të ndërtojnë vetëbesim dhe të zhvillojnë ide që kontribuojnë në komunitetin e tyre.

Besojmë se kjo përvojë është vetëm fillimi i një rrugëtimi të ri për shumë të rinj drejt zhvillimit personal, profesional dhe angazhimit aktiv në shoqëri.

Kategoritë Lajme