Dy sektorët më të rëndësishëm për zhvillimin dhe ngritjen e shoqërisë, sektori i biznesit dhe OJQ-të, sot u takuan në qytetin e Shkupit në kuadër të projektit “Qëndrueshmëria financiare e OJQ-ve në bashkëpunim me sektorin e biznesit” .
Para një numri të konsiderueshëm përfaqësues të të dyja palëve u prezantua Ligji për donacion dhe sponzorim nga ana e drejtorit ekzekutiv të Fondacionit Albiz z.Ilir Idrizi ku mbi të gjitha u cek se Donacion nuk paraqesin vetëm mjetet financiare por edhe mjetet materiale.
OJQ-të treguan praktikat e tyre të deritanishme ku disa prej tyre veç më kishin bashkëpunim konkret, disa ishin në kontakt të sipërm dhe se përdorin metoda të ndryshme duke lidhur projekte konkrete me fushëveprimin e ndonjë kompanie që realizimi I projektit të mundësohet nëpërmjet shfrytëzimit të materialeve apo produkteve të saj.
Për dallim nga qytetet tjera në qytetin e Shkupit si kompanitë edhe shoqatat janë më shumë të informuara rreth ligjit dhe procedurave administrative, por ata shprehen se duhet të ketë unitet mes këtyre dy sektorëve, të organizohen më shumë kështu takime dhe trajnime për tu diskutuar se si të zhvillohet komunikimi mes tyre dhe si rezultat te kemi situatë të favorshme për të dy palët (win-win).
Fillimisht duhet të kemi biznese etike, që pastaj prej tyre të kërkojmë përgjegjësi shoqërore korporative, pastaj tek to duhet të sqarohet kauza e OJQ-ve, se ata krijojnë dhe realizojnë projekte me interes publik dhe për të mirën e shoqërisë, ashtu që të largohen paragjykimet, të rritet besimi sepse kur bëhet fjalë për mjete financiare çështja është më e ndjeshme dhe kërkohet transparencë dhe besim.
Për të arritur deri tek një rezultat, bashkëpunim i mirëfilltë mes këtyre dy sektorëve qasja duhet të jetë adekuate dhe ti përshtatet situatës nëse bëhet fjalë për projekt më afatgjatë apo afatshkurta: fillimisht nëpërmjet email adresës, pastaj duhet të ketë qasje individuale, komunikimi të ketë dimension më human, këmbëngulja është me se e nevojshme – insistimi si dhe kërkohet të jetë një qasje me joformale për të shpjeguar beneficionet e projektit dhe anën shpirtërore të projektit që çdokush do të ishte i gatshëm të kontribuonte për tu arritur një qëllim i caktuar në interes publik.
Të gjithë ishin dakord se sektorit të biznesit duhet ti kushtohet më shumë vëmendje sepse në vazhdimësi po shndërrohet në potencialin më të madh për përkrahës për sektorin civil.