Fondacioni për zhvillimin e arsimit dhe kulturës ALBIZ dhe Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore më 17 maj 2017 në Shkup organizuan konferencën përfundimtare “Sfidat dhe praktikat e bashkëpunimit mes sektorit civil dhe afarist”.

Konferenca u organizua në kuadër të projektit “Qëndrueshmëria financiare e OJQ përmes bashkëpunimit me sektorin afarist”, të cilin e realizuan Fondacioni ALBIZ dhe OEMVP.

Qëllimi i projektit ishte të kontribuojë për qëndrueshmërinë e shoqërisë civile në Republikën e Maqedonisë përmes rritjes së pavarësisë financiare të OJQ-ve me qëllim të zhvillimit të kapaciteteve të tyre, për të mobilizuar fonde shtesë për përkrahjen e nevojave të grupeve qëllimore (me fokus të OJQ – ve që punojnë me grupe të margjinalizuara).
Fjalë përshëndetëse patën drejtori ekzekutiv i Fondacionit ALBIZ Ilir Idrizidhe drejtori ekzekutiv i OEMVP-së Fatmir Bytyqi. Ata folën rreth asaj se si lindi ideja e projektit, që ishte rezultat i bashkëpunimit mes këtyre dy institucioneve, si dhe promovimin e modelit të përgjegjësisë shoqërore të kompanive te organizatat tjera dhe opinioni me gjerë.

Fjalë përshëndetëse në konferencë pati edhe Nikolla Bertolini, udhëheqës i Sektorit për bashkëpunim pranë Delegacionit të BE-së në Shkup. Ai tha se ky model i bashkëpunimit mes këtyre dy sektorëve është i veçantë dhe unik. BE do të vazhdojë t’i mbështesë iniciativat e tilla të cilat shkojnë drejt avancimit të shoqërisë.

Rezultatet nga projekti i prezantuan Gramoz Shabani, menaxher i projektit dhe Milaim Ameti asistent i projektit.Me implementimin e këtij projekti, u identifikuan dhe përforcuan kapacitet e OJQ-ve për bashkëpunim me sektorin e biznesit, rritja e të ardhurave të OJQ-ve përmes bashkëpunimit me sektorin e biznesit dhe bashkëpunimi i promovuar ndërmjet OJQ-ve dhe sektorin e biznesit në Republikën e Maqedonisë.
Grupet qëllimore të projektit ishin 100 OJQ-të nga Republika e Maqedonisë veriperëndimore të cilat u informuan për përfitimet nga bashkëpunimi i sektorit publik dhe privat, 40 OJQ-të në Maqedoni të cilat bashkëpunojnë me sektorin e biznesit, ose janë të interesuara për ta çuar përpara gjenerimin e të ardhurave nga sektori privat.
Prioritet ju dha OJQ-ve të vendosura në zonat rurale të cilat punojnë me grupe të margjinalizuara: të rinjtë, gratë dhe grupe shoqërisht dhe ekonomikisht të rrezikuara duke përfshirë 50 kompani të vogla dhe të mesme në grupet qëllimore si homolog të OJQ –ve të përzgjedhura.

Gjithashtu u organizuan edhe 4 trajnime për gjenerimin e të ardhurave nëpërmjet bashkëpunimit me sektorin e biznesit dhe u organizuan 7 takime nëpër qytetet e ndryshme me kompanitë për të diskutuar mbi qëndrueshmërinë financiare të OJQ-ve.
Në kuadër të projektit u përgatit edhe e një doracak dhe broshurë për rritjen e bashkëpunimit të OJQ-ve me sektorin e biznesit dhe 2 dokumente mbi politikat lidhur me Ligjin për donacione dhe sponsorizim dhe Ligjin për shoqata dhe fondacione dhe Pasqyra lidhur me Ligjin për sipërmarrësi.
E arritur e veçantë në projekt është themelimi i Platformës së OJQ për bashkëpunim me sektorin e biznesit dhe Strategjia e OJQ për bashkëpunim me sektorin e biznesit.

Në pjesën e dytë të konferencës debati u zhvillua me temën e konferencës se cilat janë sfidat dhe praktikat e mira të bashkëpunimit mes këtyre dy sektorëve. Ekspoze të tyre patën Aleksandar Nikollov nga Trupi Nacional për Përgjegjësi Shoqërore të Ndërmarrjeve, Sait Saiti nga Kryqi i Kuq i RM-së dhe Nazmi Ejupi nënkryetarë në OEMVP. Përfaqësuesit e kompanive u shprehën se janë të gatshëm t’u ndihmojnë organizatave qytetare në implementimin e ideve të tyre, por ato duhet të jenë të mirëfillta dhe transparente.

Projekti u zbatua në periudhën nëntor 2015 – maj 2017 dhe është financuar nga ana e Delegacionit të BE në RM.

Kategoritë Lajme